Bregdeti i vëndit tonë shquhet për bukuri të rralla: plazhe të fshehura me ujë si kristal e i ftohtë si ujë burimi, rërë të bardhë si dëbora apo gurë shumëngjyrësh.

Nga të gjitha pasuritë natyrore kemi përzgjedhur 8 plazhe që shquhen si destinacione turistike tejet të bukura.

PLAZHI I GJIPESE

Plazhet me te bukura te Shqiperise

Plazhi i Gjipesë ka një formë shumë të bukur mbasi, menjëherë pasi mbaron rëra, i formuar nga një përrua, ngrihet një kanion me mure shkëmbore deri në 70 metra të lartë. I ndodhur midis fshatrave Vuno dhe Ilias, ky plazh nuk është shumë larg Dhërmiut, ku do të keni mundësinë për të shijuar jetën e natës.

PLAZHI I LLAMANIT

Plazhet me te bukura te Shqiperise

Llamani është një nga perlat e zonës së Himarës. Mjaftojnë vetëm 5 km rrugë e diku mes kodrave do të gjeni shtegun që ju çon në këtë plazh të vogël, me ujë të kulluar e të ftohtë. Natyra është relativisht e paprekur nga lokalet e zonës. Jo shumë larg mund të shijoni bukurinë e kalasë së Porto Palermo.

PLAZHI I KSAMILIT

Plazhet me te bukura te Shqiperise

Në të vërtetë janë një seri ishujsh me bukuri mahnitëse që duhen vizituar të paktën njëherë! Kur të jeni në fshatin e Ksamilit mund të shijoni plazhin që ndodhet aty afër ose të merrni me qera një barkë e të shkoni në ishujt që e rrethojnë. Jo shumë larg keni një tjetër bukuri për të parë: Butrintin!

GJIRI I SHEN ANDREUT

Plazhet me te bukura te Shqiperise

Pjesë e gadishullit të Karaburunit e një nga plazhet më të bukura, gjiri i Shën Andreut (ose Shën Andreas në disa raste) është mjaft i fshehur dhe rruga për të vajtur deri atje perfshin makinë, skaf dhe ecje në shtigjet e natyrës. Por gjithë ky mund ia vlen!

GJIRI I GRAMES

Plazhet me te bukura te Shqiperise

I famshmi Gjiri i Gramës është pjesë e gadishullit të Karaburunit e njësoj si Gjiri i Shën Andreut, është i izoluar nga pjesa tjetër e bregdetit, mund të mbërrihet vetem me skaf. Ky plazh mahnitës që të lë pa fjalë, në të kalurën ka qënë i shfrytëzuar si gurore! Por kjo nuk e ka cënuar aspak bukurinë që fshihet në këtë gji.

GJIRI I BRISTAMIT

Plazhet me te bukura te Shqiperise

I quajtur edhe Gjiri i Ariut, ky plazh është një tjetër gji i gadishullit të Karaburunit në listën tonë. Por ndryshe nga të tjerët, është i arritshëm pa shumë mundim, nuk është i izoluar. Kjo nuk do të thotë që i mungojmë bukuritë apo që egërsia e njeriut e ka dëmtuar atë!

PLAZHI I PALASES

Plazhet me te bukura te Shqiperise

S’mund të mungonte një nga plazhet më të bukura të zonës së Himarës! Vetëm 13 kilometra larg qytetit, ky është plazhi më i afërt me parkun kombëtar të Llogarasë. Përveç plazhit me ujë kristal, ju këshillojmë të vizitoni edhe fshatin, me rrugët e vogla me gurë qindravjeçarë.

PLAZHI I RANES SE HEDHUN

Plazhet me te bukura te Shqiperise

Në në fund një plazh që nuk është në jug! 😛 Rana e Hedhun është një plazhet më të bukura të Shqipërisë e ndodhet në Shëngjin. Nëse ju pëlqen peisazhi i qetë ku mund të meditoni duke dëgjuar zhurmën shlodhëse të valëve të detit, ky plazh do t’ju pëlqejë. Rruga deri atje mund të jetë disi problematike për shkak se…nuk ka një rrugë të mirëfilltë. Por nëse ju pëlqen aventura, ka shumë grupe eksploruesish që çdo verë shkojnë në këtë plazh.